Dy pjesëtarë të trupit diplomatik të Shqipërisë, Ervin Dervina dhe bashkëshortja e tij, humbën jetën në Muresh të Rumanisë të mërkurën, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion të ngarkuar me tallash dhe një automjet tjetër.

Si pasojë e përplasjes me dy mjetet, kamioni u përmbys dhe bllokoi të gjithë rrugën. Ndërkohë dy makinat e vogla përfunduan jashtë rrugës.

Aksidenti ku mbeti i vdekur në vend Ervin Dervina dhe bashkëshortja e tij, ndodhi rreth orës 17:20 të pasdites. Policia që citohet nga mediat vendore, tha se përveç dy viktimave me shtetësi shqiptare, janë plagosur edhe katër persona të tjerë.

Ndërkohë policia shqiptare tha përmes një njoftimi se zoti Dervina ishte Oficer Kontakti i Shqipërisë pranë Qendrës për Forcimin e Ligjit në Europën Juglindore.

Policia shqiptare gjithashtu, shpreh dhimbjen dhe solidaritetin për familjarët e 41-vjeçarit dhe të bashkëshortes për humbjen e parakohshme të të afërmve të tyre si dhe thekson se është e angazhuar për të bashkëpunuar me autoritetet rumune për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

(Në foto: Efektivi shqiptar Ervin Dervina dhe vendi ku ndodhi aksidenti).

/Ora News.tv/