Mësuesit dhe infermierja e fshatit Arrëz në Devoll u aksidentuan ndërsa udhëtonin drejt zonës së thellë malore. Për pasojë një mësuese 48 vjecare mbeti viktimë, ndërsa të tjerët të plagosur. Shkak dyshohet se u bë ngrica në rrugë!

Një mësuese humbi jetën, ndërsa 5 kolegë të saj dhe një infermiere mbeten të plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë në rrugën e fshatit Arrëz në Devoll.

Ata po udhëtonin drejt fshatit malor me një makinë fuoristradë, e cila është përmbysur në rrugë.

Burimet thonë se drejtuesi i mjetit i hapi rrugën një makine tjetër, por  mjeti është përmbysur në anë të rrugës.

Shkak mendohet të jetë ngrica në rrugë, por mëgjithatë policia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit.  Për pasojë Luiza Dule 48 vjeçe humbi jetën.

Makina drejtohej nga Ndriçim Hoxha,i cili ka marrë plagë të rënda.

"Më datë 19.12.2018, rreth orës 09:30, jemi njoftuar se në aksin rrugor Miras-Arrëz, ka ndodhur një aksident ku mjeti tip “Range-Rover” me targë AA 112 CA, me drejtues shtetasin Ç.H, banues në Miras, është batuar në rrugë dhe për pasojë, ka humbur jetën një pasagjere në mjet shtetasja L.D, 48 vjeçe, banuese në Miras", sqaron policia në njoftimin zyrtar.

Të plagosurit ndërkohë janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore dhe sipas të dhënave ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Korcës në njoftimin paraprak tha se po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Arrëza është një fshat malor në Devoll, ndërsa ndërhyrja në rrugë është një kërkesë e përhershme e këtij komuniteti.



/Ora News.tv/