Lufta ndaj evazionit dhe krimit ekonomik  kërkon një bashkëpunim më të mirë rajonal. Ministri i Ekonomisë dhe Financave  Arben Ahmetaj gjatë një takimi me drejtorë të doganave me vendet e rajonit  u shpreh se hapi i parë në këtë drejtim është shmangia e burokracive. Ahmetaj bëri me dije se shumë shpejt do të hiqen një sërë barrierash doganore. Drejtorja e Përgjithshme Belinda Ikonomi kërkoi më shumë kritere të përbashkëta për të  përmirësuar sigurinë në tregtinë e mallrave.

Më pak burokraci për të luftuar evazionin dhe krimin ekonomik. Ka qenë ky apeli i bërë nga ministri i Ekonomisë dhe Financave gjatë një takimi me drejtorë të doganave nga vendet rajonale.

Ahmetaj u shpreh se sfidë mbetet ulja e procedurave doganore midis vendeve.

Arben Ahmetaj: Krimi ekonomik nuk pengohet as luftohet me burokraci apo me procedura thjesht letre. Ne duhet të jemi në gjendje të tejkalojmë me njëri-tjetrin këto pengesa dhe të jemi një hap para me qasje shumë proaktive sesa reaktive.

Ahmetaj tha ndër të tjera se aktualisht janë në fazë diskutimi për heqjen e tarifave Roaming me Kosovën si dhe për njohjen e disa certifikatave fito-sanitare nga vendet e rajonit.

Arben Ahmetaj: Të njohim në mënyrë unilaterale disa çertifikata fito-sanitare me Kosovën, gjë që jemi në diskutim për ta shtrirë me shumë vende të rajonit.

Drejtorja e përgjithshme e doganave vuri theksin në krijimin e kritereve të përbashkëta të riskut dhe shkëmbimin e më shumë informacioneve.

Belinda Ikonomi: Do të analizonim bashkarisht, do ndërtonim kritere të përbashkëta të riskut, do të shkëmbenim rezultatet e kontrollit masat e marra informacionet dhe dyshimet paraprake.  

Ky takimi i dytë i drejtorëve të dognave  në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe sfidave të administrates doganore të rajonit.

/Ora News.tv/