Ahmetaj: Studentët që kanë paguar tarifën e plotë, do t'i kthehet 50% e shumës

6200 studentë me mesatare 9 deri në dhjetë do të kenë tarifë zero për shkollën e lartë ndërsa 70 mijë do të përfitojnë përgjysmim. Në një konferencë për mediat, Ministri i Financave Arben Ahmetat deklaron se ekselentët do të jenë përfitues vetëm në rastin kur kanë shlyer provimet në të gjithë lëndët. Po ashtu dhe Ministrja e dekretuar e Arsimit bën të ditur ngritjen e grupeve të punës për verifikimin e listave të përfituesve, por shprehet se protestuesit nuk duhet të bllokojnë mësimin.

Nga zbatimi i vendimit për uljen e tarifave të studimeve të larta do të përfitojnë rreth 76 mijë studentë.

Prej tyre vetëm 6200 janë me mesatare mbi 9 duke përfituar arsim falas.

Në një konferencë për mediat, Ministri i Ekonomisë dhe Financave në detyrë Arben Ahmetaj, thotë se vendimet e marra tashmë po bëhen konkrete.  

Sa u përket ekselentëve, ai paraqiti vetëm një kusht për përfitimin.

Ahmetaj: Studentët që rezultojnë me notën mesatare vjetore 9-10, këta studentë duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet akademike të parashikuara për vitet e mëparshme.

Sa u përket studentëve që kanë paguar tarifën e plotë, Ministri në detyrë tha se gjysma e parave do tu kthehet.

Ahmetaj: Të gjithë ata studentë që mund të kenë paguar tarifën e plotë, do tu kthehet gjysma e pagesës në bazë të vendimit  të Bordit të Administrimit, në llogari të tyre.

Ministrja e dekretuar e Arsimit, Besa Shahini, shprehet se janë ngritur grupet e punës për t`i dhënë zgjidhje kërkesave dhe fton studentët të bëhen pjesë.

Sipas saj protesta nuk duhet të pengojë procesin mësimor.

Shahini: Ne besojmë që diçka nuk shkon nëse e drejta për të protestuar e një grupi e pengon të drejtën e studentit në përgjithësi për të marrë pjesë në leksione dhe proces mësimor.

Efekti financiar për përgjysmimin e tarifave,përjashtimin e ekselentëve si dhe bursat, arrin në 2 miliardë lekë.

Fondet e bursave do të akordohen nga Ministria e Financave, duke ua hequr të drejtën të 61 Bashkive.




EMISIONET