Edhe pse që prej 1 janarit bastet dhe kazinotë kanë mbylluar aktivitetin Ministri Arben Ahmetaj bëri me dije se tashmë po monitorohet imtësisht funksionimi i basteve online.Gjatë bilancit si kreu i Financave Ahmetaj tha se buxheti i shtetit do të përfitojë nga negociatat me koncesionarin e Rinasit.Ndërsa pranoi faktin se ende nuk janë hedhur të gjitha të dhënat për pasuritë.

Qeveria tashmë ka futur në lupën e vëzhgimit të gjitha bastet që operojnë online.

Ministri, Arben Ahmetaj, pasi bëri bilancin e tre viteve në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave pranoi se ka ende baste që operojnë online për të cilat do të merren masa.

Arben Ahmetaj: Ka një për qindje shumë minimale që vazhdojnë fshehurazi me online, që janë futur tani në vëzhgim të plotë dhe të jeni të bindur që në dhjetët ditët e ardhshme do të vazhdojë goditja deri në ato kafenetë e vogla ku përdoren ipad-e për të bërë lojëra online. Beteja vazhdon, nuk ka fund kurrë.

Përsa i përket negociatave me koncesionarin e Rinasit, Ahmetaj theksoi se buxheti i shteti pritet të përfitojë nga kjo kontratë.

Arben Ahmetaj: Shpresoj që negociatat, debatet me aeroportin e Rinasit vazhdojnë, janë në përfundim. Besoj unë që aty do të kemi një disbalancë ekonomike në favor të buxhetit të shtetit rreth 20 milion dollarë.

Që prej 1 janarit në vend ka nisur të aplikohet taksa e banesave në bazë të metodologjisë së re, por ministri Arben Ahmetaj u shpreh se aktualisht në vend janë regjistruar vetëm gjysma e pasurive.

Arben Ahmetaj: Në krye të rreth një viti, gjithë pronat e Republikës së Shqipërisë të jenë brenda platformës, kush do të punojës, ose cila njësi vendore do të tërheqë sa më shumë të ardhura në favor të qytetarëve.

Arben Ahmetaj vlerësoi si një prej arritjeve më të mëdha të tij si Ministër uljen e Borxhit Publik, por edhe rritjen ekonomike.

/Ora News.tv/