Elseid Hysaj nuk u preferua titullar nga trajneri Carlo Ancelotti për përballjen me Paris Saint Germain në "San Paolo". Por në minutat e fundit tekniku italian pati nevojë për shërbimet e shqiptarit në mbrojtje.

Impakti i tij ishte i dukshëm, duke bërë një performacë të mirë dhe duke marrë vlerësimet e mediave italiane. Një ndër ata që e vlerësoi shkodranin ishte edhe agjenti i tij Mario Giuffredi, i cili theksoi se ai nuk i trembet konkurencës. Kur Hysaj hyri në fushë u shfaq shumë i vendosur dhe ky faktor do i shërbejë atij për të rritur edhe më shumë performancën e tij.

"Elseid duhet të luaj në vazhdimësi. Konkurenca me Malcut dhe Callejon është e mirëpritur. Ai është një ndër mbrojtësit e krahut më të fortë në Evropë dhe konkurenca e lejon që të rritet gjithnjë e më shumë."-tha Giuffredi në "Radio Kiss Kiss Napoli".

Me afrimin e Ancelottit, Hysaj nuk është një titullar stabël tek të kaltërit, ndërsa kohët e fundit është kritikuar për shfaqjet e tij në fushë. Ndryshe nga Sarri, ish-trajneri i Realit të Madridit preferon mbrojtës që sulmojnë më mirë dhe Hysaj duhet të përmirësohet në këtë aspekt për ë qënë titullar.


/Ora News.tv/