Ky është aeroporti i Kukësit, ndërsa këto janë ferrat dhe shkurret që e kanë mbuluar rrethimin e pistës (shikoni foton dhe videon). 

Në prill të këtij viti, Kryeministri u shpreh optimist për vënien në punë të këtij aeroporti por ende për investimin që ka përfunduar prej 12 vitesh nuk ka zhvillime, gjë që rrit koston për shkak të amortizimit.

Jo vetëm pista por edhe rrethimi pothuajse në gjithë gjatësinë e tij është mbuluar me bimësi të lartë. Vetë kuksianët edhe pse skeptikë, u shprehën se vënia në funksion e aeroportit do të thotë zhvillim për zonën.

Objekti shihet të jetë me leverdi për fluturimet low cost por mosvënia në punë ka krijuar harxhime të konsiderueshme në financat publike të vendit. 

Në muajin prill të 2016, qeveria arriti marrëveshje me kompaninë koncesionare që menaxhon aeroportin e Rinasit, duke i hequr asaj ekskluzivitetin për të gjitha fluturimet në gjithë Shqipërinë dhe për ti hapur kështu rrugë përdorimit të aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare.

Aeroporti shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 65 hektarë, 3 km larg qytetit të Kukësit dhe është i kategorisë ndërkombëtare C.

Sipas projektit të ndërtimit, në këtë aeroport është parashikuar që të zbresin njëherësh deri në 5 avionë.

 

/Ora News.tv/