Admirali amerikan: NATO e gatshme të mbrojë Kosovën

Admirali amerikan: NATO e gatshme të mbrojë Kosovën

NATO nuk dëshiron të përfshihet në bisedimet që po bëjnë Kosova dhe Serbia, por ushtarët e saj janë të gatshëm t’i përgjigjen çdo situate në rast të eskalimeve eventuale, ka thënë një nga komandantët e NATO-s, James Foggo, i cili është duke qëndruar në Kosovë.

Admirali amerikan, James Foggo, Komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara Aleate në Napoli ka thënë se rreth 4,000 ushtarë të NATO-s janë të gatshëm për çdo gjë.

“Nuk shoh asnjë kërcënim për integritetin e Kosovës”, ka thënë Foggo gjatë një konference për shtyp në bazën e ushtarake të KFOR-it Nothing Hill në afërsi të Leposaviqit.

“KFOR është shumë i fortë dhe ne nuk shohim ndonjë problem në të ardhmen e afërt apo të largët”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët rreth shkrimeve të vazhdueshme në media për opsionet e ndarjes së Kosovës, ai ka thënë se “këto janë pyetje politike që duhet të zgjidhen përmes dialogut Prishtinë-Beograd”.

Admirali Foggo ka thënë se diskutimet në Beograd mund të sjellin edhe protesta në rrugë, por ai u ka bërë thirrje të gjithëve që edhe në rast të pakënaqësive, ato të shprehen në mënyrë demokratike.

“Çdo herë që ka diskutime për zgjidhje kontraverse politike për problemet në Ballkan, ka potencial për trazira. Dhe rrjedhimisht jemi të vetëdijshëm se kjo është një kohë e rëndësishme, se ka shumë diskutime përtej kufijve të Kosovës, siç thashë në mes të Prishtinës dhe Beogradit, udhëheqësit politikë që përpiqen t’i zgjidhin disa çështje të vështira”, theksoi ai.

“Në demokraci, jo të gjithë pajtohen, disa njerëz i shprehin mosmarrëveshjet e tyre në rrugë, unë do të ju rekomandoja që të mos e bëjnë këtë gjë, ose nëse veprojnë kështu, si në çdo demokraci të civilizuar, kjo gjë të bëhet në mënyrë paqësore. Ne do të jemi këtu për t’i mbështetur institucionet e Kosovës, të cilat ruajnë sigurinë, gjatë këtij muaji dhe muajve të tjerë të vitit”, ka thënë Admirali Amerikan.

Forca shumëkombëshe e KFOR-it në Kosovë ka mision paqeruajtës. Misioni i KFOR-it buron nga Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit dhe Marrëveshja Ushtarake Teknike e Kumanovës.


EMISIONET