Administrata Trump ka njoftuar Kongresin dhe Kombet e Bashkuara se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke u tërhequr zyrtarisht nga OBSH, një vendim që vjen në një moment kur shifrat e të prekurve nga koronavirusi në Amerikë kanë shënuar rritje.

Senatori Robert Menendez, anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit ka bërë të ditur lajmin në twitter të martën.

“Kongresi mori njoftimin se POTUS zyrtarisht po i tërheq Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga OBSH, në mesin e pandemisë”, shkroi ai.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit, konfirmoi se kërkesa zyrtare e SHBA e cila do të bëhet efektive në 6 Korrik 2021, është dorëzuar tek Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Letra e drejtuar tek Kombet e Bashkuara është shumë e shkurtër, rreth tre fraza, një burim bëri me dije për CNN dhe tha se ajo do të marrë një vit kohë deri në ekzekutim.

Presidenti Trump artikuloi idenë e daljes nga OBSH në maj, pasi në mënyrë të vazhdueshme e kishte akuzuar organizatën se kishte ndihmuar Kinën të mbulonte origjinën e koronavirusit.

Megjithatë kjo lëvizje mund të tërhiqet pas në vitin e ardhshëm, në rast që presidenti Trump nuk do të fitojë në zgjedhjet e Nëntorit. Dhe ky fakt është përmendur nga përfaqësuesi i OKB.

“Gjithçka mund të rishihet në vitin e ardhshëm, sepse nuk është përfundimtare”, tha diplomati.

/Ora News.tv/