Deri në 1300 meter/kub për sekondë shkon totali i shkarkimeve nga hidrocentrali i Vau Dejësit, ku vetëm nga portat anësore shkarkohen 800 metër/kub.

Efekti i tyre nuk ka vonuar të jepet në nënShkoder, ku zona më e prekur me rreth 1 mije hektarë tokë nën ujë rezulton Ana e Malit. Sipërfaqe që krahasuar me një ditë më parë është zgjeruar.

Në zonë për të biseduar me banorët mbi dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore dhe vështirësitë që krijon vërshimi i ujit, ishte vetë kryetarja e bashkisë Voltana Ademi.

Ajo zgjodhi që nga Oboti ti përgjigjet Koorporatës Elektro Energjitike Shqiptare mbi arsyet e përmbytjeve në këtë njësi, që siç tha ajo vijnë vetëm nga shkarkimet e jo nga reshjet apo bllokimet e kanaleve kulluese.

Ajo u kërkoi deputetëve shkodranë të të gjitha forcave politike të reagojnë dhe qeverisë sëbashku me KESH, të veprojnë me nën-Shkodrën përmes një ligji të veçantë, si për renten minerare.

Banorët gjithashtu duke treguar për dëmet, kërkojnë që KESH t’i kompensojë si shkaktari i vetëm i kësaj situate.

Me prezencë uji janë fshatrat Obot, Goricë, Muriqan në Anë të Malit, fshati Trush në Berdicë dhe Mushani në Dajç.

Reshjet e shiut dhe shkrirja dëborës kanë dhënë efektin e tyre pasi të tre HEC-et e Kaskadës së Drinit po shkarkojnë, Fierza me 200 metër/ kub dhe Komani 600 meter/kub për sekondë.



/Ora News.tv/