Politologu Afrim Krasniqi thotë se ajo çfarë ndodhi seancën e së enjtes (12 prill) është investimi më i gabuar që mund të bëhet për Shqipërinë. I ftuar në intervistën e mbrëmjes në studion e Ora News, Krasniqi thotë se nëse do të respektoheshin rregullat, duhej të ishin përjashtuar 1/3 e parlamentit ndërsa kryeministri të kërkonte falje publike dhe të merrte dënim nga byroja përkatëse e parlamentit. 

Çfarë emri i vë politologu Afrim Krasniqi seancës së Kuvendit të 12 prillit?

Afrim Krasniqi: Pas miratimit të Kodit të Sjelljes, prisnim një seancë tjetër. Ajo çfarë ndodhi sot ishte, deridiku, investimi më i gabuar që mund të bëhet për Shqipërinë, demokracinë në  Shqipëri dhe imazhin. Është si nuk duhet të jetë një parlament dhe si palët kanë humbur praktikisht lidhjen me realitetin dhe me çfarë qytetarët presin.

Nuk është çështja njëra palë ka faj  apo s'ka faj. Problemi është nëse ne zbatojmë kodin e miratuar, rregulloren e parlamentit, ligjin përkatës për funksionimin e tij 1/3 e parlamentit duhet të përjashtohet për seancën e ardhshme parlamentare. Nëse ne nuk e bëjmë një gjë të tillë do të kemi seanca të tilla dhe nuk do të kemi parlament funksional. Në të gjitha kuptimet është një mesazh negativ.

Kush është fajtori?

Afrim KrasniqiUnë e shoh si sherr të të pasurve. Milionerë që zihen për të ndarë pushtetin midis tyre. Nuk është çështje moraliteti, të fajshëm e të pafajshëm. Nëse ne respektojmë rregullat e shkruara parlamentare do të duhej që kryeministri të kërkonte falje publike dhe të merrte dënim nga byroja përkatëse e parlamentit. Do të duhet dikush ta kalonte atë vijën e verdhë dhe tu thonë liderëve politikë se jeni aty jo si individë por institucione. Dhe një fjalë e thënë nga kryeministri merr konotacion krejtësisht tjetër dhe e njëjta gjë do u duhet thënë dhe shumë figurave të opozitës, përfshi dhe ish kryeministra. Është një lloj elite politike që nga njerëz që kanë marrë përsipër misione të mëdha për Shqipërinë kanë kaluar në njerëz që përdorin një gjuhë më poshtë nivelit të protestuesve që sulmuan tollet e famshme në Rrugën e Kombit.

Ky është problem i madh. Nuk besoj se janë mbledhur për qytetarët e Kukësit dhe nuk besoj se kjo është zgjidhja. Sot palët gabuan.

Ne kemi militantë të palëve që janë aty jo për të bërë politikë por për të bërë sherre ose për tiu përgjigjur sherreve. Gaboi ministri i Jashtëm dhe duhet të marrë përgjegjësi publike.

Një ministër i jashtëm prandaj është ministër i jashtëm që të përfaqësojë Shqipërinë dhe nuk mund të humbësh durimin në një debat nga ato që kemi parë disa herë në parlament.

Gabuan një numër deputetësh, gabuan përfaqësuesit e atyre që diskutuan në sallë. Patëm një retorikë shumë fyese dhe nga salla edhe të atyre që diskutuan. Prandaj numri i njerëzve që u përjashtuan është minimal. Është disproporcional. Do të duhej të kishte më shumë. Nuk ka sens nëse kemi kamera, skemi kamera. Kush përdor fjalor banal dhe jo etik duhet larguar një orë e më parë nga parlamenti.

 Po a është kjo krizë politike e shkaktuar nga problematika aktuale sociale?

Afrim Krasniqi:  Është krizë politike dhe nuk ka lidhje me problematikën aktuale sociale. Nëse do të kishte lidhje me këtë të fundit, problematika sociale do të përdorej për të zgjidhur problemet, ndoshta me alternativa, propozime, amendamente, nisma.  Por është bllokuar sistemi politik.

Qeveria ka fituar mandatin e dytë dhe nuk po qeveris dot. Jo vetëm nuk po qeveris dot, por gabimisht i ka mbushur mendjen vetes se vetëm ajo do Shqipërinë,vetëm ajo është europiane dhe kushdo që është kundër është kundër këtij vendi. Edhe retorika e sotme ishte e tillë, nuk ishte institucionale. Nga ana tjetër opozita e cila nuk ka kuptuar dot votat që ka marrë në zgjedhjet e fundit. Nuk ka arritur të marrë mesazhin qytetar që ajo duhet të reformohet të ndryshojë dhe të sillet me vlera morale të fitojë kredenciale politike. Ajo gabimisht mendon që votat e saj nuk janë të sakta dhe gabimisht mendon se vullneti i qytetarëve është shumë më i madh sesa është shprehur në kutitë e votimit. Të dy palët kanë humbur lidhjen me realitetin.

Problemi nuk janë protestat por nëse kalohet dhe kërkohet një kundërvënie ndaj sistemit dhe të dy palët kundërvihen njëri tjetrit, siç u kuptua nga fjalimet e të dy palëve sot, ajo është ftesë për militantët për tu bërë turmë.  Shqipëria ka paguar një herë kosto shumë të lartë kur turmat u përballën me njëra tjetrën dhe rrezikon ta përsërisë.

Cfarë do të ndodhë të enjten e ardhshme?

Afrim Krasniqi: Ka shumë kohë për të reflektuar. Do të duhet që maxhoranca, sa rri dy orë në facebook duke komunikuar me njerëz anonimë dhe duke bërë batuta duhet të komunikojë me opozitën qytetarë kritikë të këtij vendi. I kanë mekanizmat. Ndërsa opozita duhet ta shfrytëzojë këtë kongresin që ka lajmëruar të krijojë opozitë në Shqipëri sepse nuk kemi opozitë reale.

(Titulli redaksional)


/Ora News.tv/