Nis vettingu për prokuroren e Apelit Shkodër, në sitë pasuria e saj

Nis vettingu për prokuroren e Apelit Shkodër, në sitë

Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit ka zhvilluar seancën dëgjimore në radhët e Prokurorisë. Para Komisionit ka dalë prokurorja e Shkodrës, Besa Nikëhasani, e cila është edhe kandidate për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sipas KPK, Nikëhasani nuk justifikon dy apartamente, dy garazhe dhe një automjet. Vendimi pritet të jepet në 20 prill.

Besa Nikëhasani ishte prokurorja e parë që u thirr në seancë degjimore nga Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit. 

Me detyrë prokurore në Prokurorinë e Apelit Shkodër ku një periudhe ka qenë edhe drejtuese si dhe një nga kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë,  Nikëhasani ishte paraqitur në seancë pa praninë e një avokati.  
Edhe për këtë prokurore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  ishte mjaftuar vetëm  me  kontrollin e pasurisë,  pa u thelluar në dy komponentët e tjerë të kontrollit profesional apo integritetit. 

Relatorja e çështjes, Genta Bungo, tha se nga verifikimet e bëra nga Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Verifikimit të Pasurive (ILDKPI),  kishte konstatuar se prokurorja nuk kishte probleme me deklarimin e pasurisë por kishte qenë një hetim i thelluar i KPK-së që kishte arritur në përfundimin se prokurorja e Shkodrës nuk justifikonte burimin e ligjshëm të dy apartamenteve në Tiranë  dhe një në  Lezhë, dy garazheve në Tiranë  dhe një automjeti.

 Vetë prokurorja tha se pretendimet  e Komisionit nuk qëndrojne, pasi  ajo nuk ka fshehur asnjë pasuri, ndërsa pasaktësitë në disa deklarime janë bërë për shkak të disa lapsuseve në vite.

Prokurorja u shpreh se dy garazhet i ka deklaruar në 2009, ndërsa shtoi se për makinën ka marrë borxhe. Ajo u shpreh se e bleu fuoristradën, pasi e vjetra iu përplas dy herë, ndërsa shtoi në 2003 i kishin vendosur tritol në makinë.

Pasi ka dëgjuar pretendimet e prokurores, KPK u tërhoq për ta vijuar seancën ne 20 prill ku pritet të jepet vendimi nëse prokurorja e Shkodrës do të vijojë të qëndrojë në detyrë apo nëse karriera e saj do të ndërpritet.

Nikëhasani ishte e para në radhet e prokurorëve që doli ne seancë dëgjimore, ndërsa më herët KPK i ka përjashtuar nga sistemi gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo dhe gjyqtarin e Apelit të Durrësit Besim Trezhnjeva.



 

EMISIONET