Festa e Shna Ndout në Laç është përgjakur nga një vrasje më armë zjarri.Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të mbrëmjes të së mërkurës në afërsi të stadiumit të qytetit, ndërsa viktimë mbeti shtetasi Viktor Shkorreti 24-vjeç, banues në Laç.

Ky i fundit u qëllua me brëshëri automatiku në afërsi të banesës së tij, ndërsa disa orë pas ngjarjes policia ka identifikuar autorin e dyshuar të krimit.

Ai është shtetasi me iniciale E.K, 32 vjeç, banues në Tiranë. Policia e Kurbinit në bashkëpunim me Policinë e Tiranës vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit për parkimin e automjetit.

Duke qenë se për shkak te pelegrinazhit te Kisha e Shna Ndout në Laç ka patur fluks të jashtëzakonshëm automjetesh dhe mungesë vendparkimesh, autori ka dashur të parkojë automjetin në afërsi të banesës së viktimës, por nuk është lejuar nga ky i fundit.

Në ato momente ata kanë nisur të konfliktohen me njëri-tjetrin dhe më pas autori ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të 24-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas duke përfituar dhe nga errësira, autori ngjarjes është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar policisë e cila u vu menjëherë në ndjekje të tij.

Policia po kreh të gjithë zonën dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit të ngjarjes.



/Ora News.tv/