Në 80 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, Universiteti Europian i Tiranës i propozon Ministrisë së Arsimit që të themelojë bursën Kadare për të tërhequr në Shqipëri studentët e huaj. Propozimi u bë gjatë prezantimit të librit "Kadare ne letrat franceze" nga ky universitet, ndërkohë që UET ka hapur edhe qëndrën e studimeve te letërsisë shqipe me emrin e shkrimtarit të madh. Në kuadër të 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare Universiteti Europian i Tiranës ka botuar librin e Viola Isufaj "Kadare në letrat franceze". Libri shoqërohet me një parathënie të Gazmend Krasniqit që sjell në vëmendje marrëdhëniet që poetika e Kadaresë ka me poetikën e vendeve te tjera: Viola Isufaj: “Në pjesën e parë prezantohen 3 tregime të shkruara, të rikrijuara nga tre shkrimtarë bashkëkohas francezë. Pjesa e dytë ka të bëjë me studimin e Dorontinës në kolegjet franceze.” Për presidentin e UET Henri Çili ky libër ashtu si e gjithë vepra e shkrimtari Kadare ka rëndësi të veçantë për identitetin tonë kombëtar. Çili ka përfituar edhe nga prania e zëvendës Ministres Nora Malaj për ti propozuar Ministrisë së Arsimit të themelojë bursën "Kadare" për të tërhequr studentët e huaj të studiojnë në vendin tonë: Henri Çili: “ Këta bursistë do ishin ambasadorë të kulturës shqiptare kudo në botë. Një bursë Kadare do i bënte shumë nder shtetit shqiptar, shoqërisë shqiptare dhe do të ishte vërtetë një investim kulturor afatgjatë." Duke qënë se ky vit është quajtur viti i Kadaresë UET ka menduar të çelë për herë të parë edhe qëndra e studimeve te letërsisë shqipe "Kadare", drejtues i së cilës do të jetë Gilman Bakalli: Gilman Bakalli: "Vendosim një theks korrektues për të treguar se si mund të bëhet një kritikë letrare e cila nuk synon ta shkatërrojë autorin por të merret me veprën e tij dhe të na ndriçojë ato pjesë të errta të librit.” Pak ditë më parë Akademia e Shkencave i dërgoi një letër Komitetit të NOBELIT në të cilën propozon shkrimtarin Ismail Kadare për çmimin e madh të letërsisë. Ndërkohë për 80 vjetorin e Kadaresë janë planifikuar një sërë aktivitetesh. /Oranews.tv/

/Ora News.tv/