50 deklarata të bujshme të Edi Ramës në detyrën e Kryeministrit

50 deklarata të bujshme të Edi Ramës në detyrën e

Emisioni “Debati në Channel One” i Roland Qafokut publikoi 50 deklaratat më të bujshme të Edi Ramës si Kryeministër.

1.Fjala në kuvend pas votimit si kryeministër, 12 shtator 2013.

Njësoj si në marsin e vitit 1992, Shqipëria s’u nda në dy blloqe nga një diferencë e vogël, po u bë bllok masiv për të vulosur me votë të lirë, një ndryshim historikisht të domosdoshëm dhe absolutisht të pakontestueshëm për të ardhmen e saj.

2.Fjala në kuvend pas votimit si kryeministër, 12 shtator 2013.

Unë besoj se shqiptarët na votuan ndër të tjera, edhe për t’i dhënë fund atij karshillëku banal ndaj opozitës që mori jetë për vite me radhë në këtë foltore, e në këtë sallë.

3.Fjala në kuvend pas votimit si kryeministër, 12 shtator 2013.

Përmasën historike të fitores sonë e përcaktoi domosdoshmëria historike për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë - duke nisur padyshim nga ndryshimi i modelit qeverisës.

4.Fjala në kuvend pas votimit si kryeministër, 12 shtator 2013.

Dinë të thonë vetëm s’bëhet, s’bëhet ndryshe dhe të bëjnë sehir rrënimin, siç bënë 8 vjet me radhë, ndërkohë që duhet të vizitohen se mos përveç pushtetit, kanë humbur edhe zemrën.

5.Për biznesmenët. 9 dhjetor 2013

Para ca kohësh më patën treguar një anekdotë të jetuar, në lidhje me punësimin në vendin fqinj.”Një biznesmen grek fliste me një biznesmen shqiptar, por të dy të shqetësuar për krizën atje, se nuk u paguanin dot rrogat punonjësve. I pari i thotë të dytit: Situata është keq dhe u bënë disa muaj që nuk paguaj dot punonjësit që edhe nuk i largoj dot nga puna. I dyti, ky i joni i thotë: Mbase duhet ta bëjmë si në Shqipëri ku iu marrin lekë punonjësve, për t’i futur dhe për t’i mbajtur në punë.”

6.Për profesionistët, 9 dhjetor 2013

Kur takohen, Clemenceau, që kishte një adhurim të madh për Padereëskin pianist, i thotë: Më falni, mos jeni gjë kushëriri i pianistit të famshëm? Padereëski i kthehet dhe i thotë: Jo zotëri. Jam unë, ai vetë. Clemenceau vazhdon: Je ai dhe je bërë Kryeministër?! Ah ç‘farë zhgënjimi! Në fakt nuk e kishte keq, sepse për një vend është shumë më i rëndësishëm profesionisti se kryeministri. Dhe që vendi të shkojë në rrugën e duhur, nuk mjafton të ketë një kryeministër, por duhet të ketë profesionistin më të rëndësishëm se kryeministri.

7.Për 100 ditët e qeverisjes, 22 dhjetor 2013

Jemi të vetëdijshëm se kufijtë e durimit të njerëzve, pas shumë vitesh zhgënjimi dhe rrënimi moral, ekonomik, social, janë tkurrur shumë. Në këto 100 ditë e kemi kuptuar këtë përditë e më mirë”.

8. Në konferëncë për shtyp, 30 dhejtor 2013

Viti 2013 që njësoj si viti 1992, do të shënohet në historinë e re politike të Shqipërisë, si viti i votës popullore që siguroi kthesën e madhe demokratike të vendit tonë. Mes rrënimit të mëtejshëm dhe një rilindjeje shqiptare, 1 milion shqiptarë u bënë bashkë për Rilindjen, duke zgjedhur më 23 qershor “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”.

9.Për qeverisjen e Berishës, 30 dhjetor 2013

Një vit më parë, jetonim në një vend, ku kryeministri përdorte oborret e shkollave për mitingje kundër opozitës; ku sipërmarrësit as nuk ftoheshin nga qeveria të jepnin mendimet e tyre për ekonominë dhe për projektbuxhetin dhe as u shkonte ndërmend të uleshin me opozitën për të qarë hallet e tyre.

10.Në 3 vjetorin e 21 janarit, 21 janar 2014

Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i 3 viteve më parë. Shumë të tjera do të ndryshojnë me siguri, deri në 21 janarin e vitit tjetër. Por, sado gjëra të kenë ndryshuar sot një vit, asgjë nuk do të ketë ndryshuar për vetë 21 janarin

11.Për detyrën e kryeministrit 21 janar 2014

Unë vetë nuk e kam harruar për asnjë çast, qysh nga dita kur kam ngjitur këto shkallë, me mandatin e një milion shqiptarëve, se ne nuk u votuam për të zëvendësuar një qeveri me një tjetër, por për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë.

12.Për aksionin në Lazarat, 23 qershor 2014

Vetë përfshirja në ethet e asaj beteje e të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, e të gjithë miqve dhe partnerëve të Shqipërisë, e të gjitha agjencive prestigjioze të lajmeve, ishte treguesi i kuptimplotshmërisë së rezultatit që arriti Policia e Shtetit javën e kaluar.

13.Për aksionin në Lazarat, 23 qershor 2014

Superaksioni i Lazaratit e ka rritur edhe më shumë pritshmërinë popullore ndaj nesh, lidhur me vënien në vend të së drejtës të këtij populli, për dy gjëra shumë të thjeshta që çdo popull i do dhe i meriton, po sidomos një popull në mes të Europës; për të pasur shtet dhe për të pasur drejtësi.

14. Për gjyqtarët, 23 qershor 2014

Sot, gjyqtarët që kryejnë krime, duke u bërë pjesëmarrës në vrasjet dhe në tragjeditë njerëzore që shkaktojnë rrugëve “Gatet” e liruar me një të rënë çekiçi prej tyre, duhet ta marrin të qartë mesazhin se ne jemi gati të përballemi me çfarëdo kosto me ta.

15.Për gjyqtarët, 23 qershor 2014

Sot, prokurorët që i kanë marrë kaq shumë kohë këtij vendi duke i ardhur vërdallë dosjeve të krimeve, të zyrtarëve të lartë apo duke nxjerrë prej tyre vetëm disa “cironka” të lodhura, si ato që kapnim ne me kavanoz te bregu i liqenit, duhet ta kenë të qartë se nuk mund t’i fshihen më përgjegjësisë së tyre.

16. Për policinë, 23 korrik 2014

Jeni dëshmitarë të gjithë që në rrugët e trafiqeve, të kontrabandës dhe të krimit nuk kapni më, celularë me një prefiks dhe nuk ka më, në celularë, numra që janë vetëm brenda për brenda vendit, por i kalojnë kufijtë.

17.Për policinë, 23 korrik 2014

Ne i rritëm pagat për policinë, siç premtuam. Madje, duke e kapërcyer zotimin tonë, sepse atë që u zotuam ta bëjmë për 4-vjet, duke iu përgjigjur asaj tabele pagash që ishte e përcaktuar nga ekspertiza e përbashkët, e brendshme dhe e huaj, në buxhetin e parë të një viti krize financiare, duke vendosur parakusht të negociatave me Fondin Monetar Ndërkombëtar rritjen e pagave për policinë.

18.Për policinë, 23 korrik 2014

Ndërkohë që, kërkesa e parë ishte: “Ulni rrogat për të gjithë!” “Nuk ulim asnjë rrogë dhe do të rrisim rrogat për policinë, në qoftë se doni të kemi program të përbashkët”. Sepse rritja e rrogave për policinë nuk është rritja e rrogave për një numër të caktuar nëpunësish të shtetit, por është financimi i sigurisë.

19.Për korridorin e kaltër, 21 gusht 2014

Projekti tjetër që është një projekt më shumë se sa për Shqipërinë dhe që do të diskutohet edhe në Berlin, është ai që ne e kemi quajtur “Korridori i kaltër” me të cilin talleshin ata që ishin përpara nesh dhe thoshin duan të bëjnë korridor në ujë. Sepse ata ngjyrën e blu e dinë vetëm për flamurin e vet, për detin, dhe për qiellin, nuk e dinë që ka kaltërsi edhe gjetkë.

20.Për Luftën e Dytë Botëror, 29 nëntor 2014

Sot besoj që nuk ka më të voglin dyshim se, sidoqoftë, të gjitha përpjekjet e bëra për ta cenuar apo edhe për ta fshehur 29 Nëntorin pas 28 Nëntorit, kanë dështuar dhe janë të destinuara të dështojnë. Sepse ajo çka erdhi pas luftës nuk ishte produkti i synuar nga lufta, por një deviacion nga ëndrrat dhe nga aspiratat e atyre që e bën luftën.

21.Për Luftën e Dytë Botëror, 29 nëntor 2014

Padyshim, pa Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, ne nuk do të kishim pasur dot mundësinë që të ishim siç jemi sot, krenarë për historinë tonë, për atë moment ku shqiptarët u gjendën në anën e duhur të historisë, si asnjëherë tjetër më parë dhe më qartësisht se kurrë më parë.

22.Në darkën me gazetarët 24 dhjetor 2014

Është privilegj i madh, realisht, që të kesh një detyre si e imja që të jep mundësinë fatlume që në prag të Krishtlindjeve të kesh një darkë si kjo, me njerëz që të kanë quajtur “rrezik diktatorial”, “lider frikacak”, madje edhe pa moral.

23.Në darkën me gazetarët 24 dhjetor 2014

Lejomëni ta ndaj me ju të gjithë kënaqësinë se askush prej jush nuk mungon këtu, se është në burg. Kush mungon, nuk ka dashur të jetë këtu dhe prapë nuk ka për ta gjetur asgjë, nëse nuk kapet duke vjedhur energjinë, natyrisht.

24.Në darkën me gazetarët 24 dhjetor 2014

Jam i sigurt që nuk jam vetëm unë i lumtur që jam me ju, me të gjithë ju, edhe të gjithë ju jeni të lumtur që jeni me mua. Ndryshimi mes nesh është që unë nuk kam frikë ta pohoj që jam i lumtur, ju keni frikë ta thoni se jeni të lumtur që jeni me mua.

25. Në darkën me gazetarët 24 dhjetor 2014

Sigurisht që ky është një format i kopjuar edhe pse unë ngurroj ta krahasoj me origjinalin. Në mbrëmjen vjetore të Presidentit Obama me trupën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë, se të paktën në këtë drejtim, unë nuk jam Barack Obama dhe ju nuk jeni gazetarët e Shtëpisë së Bardhë.

26.Për energjinë elektrike, 14 janar 2015

Në vitin 2006 u bë një ristrukturim i sektorit, ajo që sot quhet OSHEE, kompania e atëhershme dhe e sotme e shpërndarjes, u pastrua nga të gjitha borxhet. Në vitin 2006, OSHEE e nisi punën e vet me zero borxhe. Deri në vitin 2013, 7 vjet qeverisje të Partisë Demokratike, borxhi kapërceu 1 miliardë dollarë.

27.Për energjinë elektrike, 14 janar 2015

Ne do ta fillojmë që këtë vit, por deri në fazën e implementimit ne do të bëhemi vendi i parë i Europës që do të kemi instaluar 1.1 milionë matës inteligjentë. Vendi i parë i Europës, jo se jemi të parët, por se në Gjermani nuk i ndërron njeri sahatet se nuk i shkon njeriu mendja të vjedhë dhe sahati gjerman nuk “vrapon” kur gjermani ka ikur me pushime.

28.Në parlament, 2 prill 2015

Ndërkohë që, për ne është e qartë, nuk ka miqësi, nuk ka shoqëri, nuk ka lidhje gjaku, nuk ka lidhje fisi, nuk ka lidhje partie, që prevalon mbi detyrimin tonë për të ndryshuar njëherë e mirë këtë vend.

29. Në 25 vjetorin e varrezave katolike në Shkodër 4 nëntor 2015

Si njëri prej atyre 300 vetëve që në 4 nëntor të 25 viteve më parë kam qenë këtu. Kam qenë këtu, bashkë me disa miq. Jemi nisur shumë herët me tren nga Tirana, pasi na kishte mbërritur fjala që Dom Simoni i madh do të bënte një meshë. Dhe nëse nuk do të kisha qenë këtu, bashkë me 300 vetë të tjerë që janë dëshmitarë të asaj dite, nuk do të kisha pasur kurajën që të kujtoja një moment të asaj meshe, sepse me siguri do të më merrnin për të marrë.

30. Në 25 vjetorin në varrezave katolike në Shkodër 4 nëntor 2015

Parafytyroni, nëse në atë orgji të pashembullt zjarri e hekuri, gjaku e flakësh, ku u hodhën në erë me dinamit 2000 e disa qindra kisha e kapela romane në Shqipëri, ku u dogjën rrugëve mbi 300 mijë libra fetarë dhe vepra të artit fetar, të ishte fshirë edhe ky truall, të ishte bërë rrafsh. Një rrafsh mbi të cilin, ajo çka e bëri legjendare meshën e 4 nëntorit do të ishte e pamundur.

31.Në konferencën “25 vjet pas rënies së komunzimit”, 8 dhjetor 2015

Çfarë do të jetë Europa nesër, nëse braktis ëndrrën dhe projektin e etërve të saj themelues.

32. Për gazetën “Der Freitag”, 9 dhjetor 2015

Shqipëria nuk është një vend fatkeq. Është një vend shumë alegro dhe me shumë diell, me një mikpritje të madhe dhe me shumë vende të bukura. Në të njëjtën kohë Shqipëria ofron shumë resurse njerëzore dhe natyrore. Ka ndryshuar komplet në 25 vitet e fundit.

33. Për gazetën “Der Freitag”, 9 dhjetor 2015

Është një privilegj i madh të jesh kryeministër. Të zgjidhesh kështu është një mirënjohje shumë e madhe që të jep populli. Në anën tjetër është një përgjegjësi e madhe.

 34.Letër ministrave të kabinetit të vet në 2016

Konstatoj me shqetësim, nje shqetësim që ndiej se po kthehet në hidhërim, se po marrim pak nga pak po në mënyrë të pandalshme tiparin e një pushteti arrogant në sjelljen me tjetrin.

35. Presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov në 2016

Zoti Ivanov, gjuha shqipe s’është e armikut po e një poli shtetformues në Maqdoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur president!. 

36.Në CNN për kandidatin për president Donald Trump 14 prill 2016

Larg qoftë! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai, në fund të ditës do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme.

37.Në facebook pas fitores së zgjedhjeve, 26 qershor 2017

Facebook do thotë: “14 vjeç, u bo basketbollist. 22 vjeç, u bo piktor. 34 vjeç, u bo ministër.36 vjeç, u bo kryetar bashkie. 41 vjeç, u bo kryetar partie. 49 vjeç, u bo kryeministër.53 vjeç, u bo shofer”.

38.Për zgjedhjen e Donald Trump President, nëntor 2016

Duke i uruar Presidentit Trump fitoren dhe të gjithë suksesin që amerikanët dhe miqtë e partnerët e SHBA, i urojnë atij vendi të madh, kam bindjen se marrëdhënia jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara, do te vijojë te forcohet në funksion te vlerave e të interesave të përbashkëta, të cilat e bëjnë Shqipërinë një mik e aleat të çmuar të popullit e të qeverisë amerikane.

39.Në Samitin e Diasporës 20 nëntor 2016

Aq sa jemi myslimanë, bektashinj, katolikë apo ortodoksë dhe të tjerë akoma përfshirë dhe mosbesues të vendosur të asnjë tempulli, prapëseprapë po aq bëhemi një ndër festat apo fatkeqësitë e njëri-tjetrit sepse jemi shqiptarë.

40.Në Samitin e Diasporës 20 nëntor 2016

Shqiptarët janë vëllam pikërisht sepse brenda një gjaku, janë të një qytetërimi, janë të një gjuhe, janë të një sofre.

Për ata që e kanë harruar apo që nuk e dinë, vëllamia ishte një pakt për jetë a vdekje, që i kthente në familjarë për njëri-tjetrin anëtarë të familjeve të ndryshme, mundësisht me besime të ndryshme fetare.

41.Për Akropolin në Athinë

Nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit i cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.

42.Për gazetën austriake “Der Standard”9 tetor 2017

Qendrimi i Brukselit në rastin tonë është tërësisht jo-fair, sepse ne jemi një shtet i NATO-s, Mali i Zi ka aderuar në NATO shumë më vonë. Përveç kësaj, tek kapitujt vendimtarë të drejtësisë, ne jemi shumë më përpara se Mali i Zi.

43.Për “New York Times” 13 nëntror 2016

Kur im atë shkoi njëherë në Kosove për të dhënë mësim, solli 5 kanaçe “Coca Cola” që i ruajtëm ne frigorifer. Ne ishim 5 pjesëtarë në familje dhe kanaçet nxirreshin një e nga një për secilën prej ditëlindjeve tona. Qëndronte aty ne mes te tavolinës si diçka e pabesueshme dhe ne shijonim “Coca Colën” ngadalë e ngadalë.

44. Për “New York Times” 13 nëntor 2016

Gjyshi im  u bë shoferi i kryetarit të Bashkisë se kishte një makinë më të mirë se e kryetarit të Bashkisë. Kur kryetari i Bashkisë shkoi tek mbreti, mbreti pa makinën dhe i tha: Sa bën? Ai i tha: Është e shoferit! Atëherë sill shoferin.

45. Për “New York Times” 13 nëntor 2016

Në Këshillin e Ministrave ishte nje torturë. Nuk i ndiqja dot, nuk kuptoja dhe pikturoja gjatë të gjithë kohës mbi shkresa. Kisha ministrin e Arsimit ne krah qe gjithmonë ne fund me pyeste: “Mund ta marr këtë?” Po i thoja, merre. Një ditë shkoj në zyrën e tij, ndërkohe qe akuzohej për korrupsion, dhe më tregon këtë koleksion. U ndjeva sikur kishte vjedhur artin tim. U ktheva ne zyrën time dhe i them asistentes: “Ky duhet te jetë hajdut, njerëzit me siguri kanë arsye që e akuzojnë, se ai ka vjedhur artin tim. Mund ta marr, mund ta marr… i kishte marrë të gjitha.

46. Në Akademinë e shkencave 22 nëntor 2017

Po kalojmë një fazë zhvillimi ku gjuha jonë kërcënohet drejtpërdrejtë, pa dorashka. Lloj-lloj matrapazësh të dijes marrin përsipër të sulmojnë një nga monumentet më të larta që ka ngritur shkenca dhe dija në Shqipëri. Madje të mos them se disa prej këtyre agresorëve vijnë nga gjiri i këtij kuvendi. Matrapazë të dijes.

47.Në Prishtinë në sesionin për Skënderbeun 27 shtator 2017

Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut lipset të jetë pikërisht ndërthurës i këtyre vetive në botën shqiptare dhe themeli i një qasje të re, të domosdoshme, të imazhit që përçojmë në botën që na rrethon dhe në universin Europian, të cilit prej natyre, ne shqiptarët i përkasim.

48.Në parlamentin e Kosovës 18 shkurt 2018

Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

49.Në parlamentin e Kosovës 18 shkurt 2018

Me dëshirën e madhe që në 20 vjetorin e Pavarësisë, unë të jem përsëri këtu, por atëherë thjesht si baba i Zahos, me djalin adoleshent, në realitetin e imagjinatës së sotme që sapo përshkova për Shqipërinë dhe për Kosovën dhe me vendosmërinë që si Kryeministër i Shqipërisë, të bëj gjithçka mundem që ashtu të ndodhë, ju falënderoj nga zemra për këtë nder të posaçëm që mu bë sot si folës nga kjo tribunë dhe ju uroj të gjithëve gëzuar festën.

50.Me studentët e ekselencës në 8 dhjetor 2017

Mendësinë e një shoqërie nuk mund ta ndryshosh kurrsesi as në një ditë, as në një vit dhe as në dhjetë vjet. Megjithatë, pavarësisht kohës së nevojshme, ne mund të themi me plot gojën që kemi humbur më shumë kohë, sesa çdo të ishte e arsyeshme të harxhohej për të qenë në një tjetër stad.

 

 

 

 



 

 

  

 

  

 

   



EMISIONET