Orjona Hodaj është themeluesja e një nisme për të ndihmuar të gjithë gratë e burgut të Tiranës duke i dhënë një mundësi që të riintegrohen në shoqëri kur të dalin jashtë mureve të hekurta.

Ajo është pjesë e qendrës 'Sole', e cila ka hapur një pasticeri brenda burgut për të financuar gratë rreth punës që bëjnë aty.

Në një intervistë për 'Mos i fol shoferit' nga Rudina Dembacaj, ajo ka treguar cili është synimi i kësaj nisme.

“Si fillim do thoja që Orjona nuk është vetëm në këtë nismë. Është qendra Sole, unë drejtoj këtë organizatë dhe ne jemi 10 vullnetarë. Kemi 2 vjet e gjysmë që punojmë dhe tentojmë fort që ta realizojmë këtë nismë që kemi marrë. Ne synojmë punësimin e të dënuarve. Konkretisht kemi ngritur një pasticeri në burgun e grave ku duam që gratë e përfshira në programin Sole të shpërblehen me një pagë mujore dhe kjo me qëllim dhënien e një profesioni. Do dalin nga këto dyer një ditë, si do integrohen në shoqëri një ditë?

Shoqëria e lirë është shumë e ashpër, kapitaliste dhe këto gra që kalojnë një pjesë të mirë të kohës në këtë shoqëri komuniste kërkohen tu jepen disa informacione. Cfarë është puna? Përse është e rëndësishme të punojmë? Prindërimi në distancë është i rëndësishëm se këto gra janë nëna dhe një ndër arsyet kryesore pse ne kemi marrë këtë nismë është pikërisht ky fakt. Cfarë bëhet me fëmijët e këtyre grave? Si mbijetojnë, a shkojnë në shkollë? A vishen? A kanë shtëpi ku të flenë dhe në pagën që ne duam të marrin në fund të muajit synojmë jo vetëm të përmbushin nevojat personale brenda burgut, por të ndihmojnë dhe familjarët jashtë. Për ata që kanë fëmijë, ti ndihmojnë dhe për ata që kanë familjarë, nëna, baballarë ti ndihmojnë ata”, tregoi Orjona.

/Ora News.tv/