29 nëntori 1944 është një ditë e zezë për Shkodrën, Shqipërinë e shqiptarët

29 nëntori 1944 është një ditë e zezë për

Në botën e qytetëruar vazhdon edhe sot “gjuetia” apo gjurmimi i personave që kanë kryer krime gjatë periudhës hitleriane në Gjermani. Pavarësisht se i janë fshehur drejtësisë dhe janë në vitet e fundit të jetës, janë prangosur e madje dënuar shumë nga eksponentët e atij regjimi që kishte si parim “superioritetin e racës ariane”. 

Sot e kësaj dite, emri Adolf Hitler nuk mund të regjistrohet në asnjë zyrë të gjendjeve civile. Jo rradhë herë ka përplasje edhe fizike në mes neo- nazistëve dhe grupimeve kundër tyre në shumë qytete të Gjermanisë. Ky është realiteti, të cilit i duhet shtuar edhe rritja e subjekteve politike të tipit “AfD” që gjejnë frymëzim tek idetë e Adolf Hitler... Por kjo ndodh rreth 70 vite pasi diktatori gjerman ka ikur nga kjo botë.

Në Shqipëri, realiteti është i ngjashëm, por vitet kur ngjarjet ndodhin, janë shumë më pak. Enver Hoxha vdiq në krevat në 1985 por deri më 1990 ai ishte i veneruar si një zot. Sot janë vetëm 28 vite nga ai realitet i hidhur. I hidhur jo vetëm për të përsekutuarit, përndjekurit, arrestuarit, internuarit, burgosurit, gjymtuarit e të vrarët. Tragjik për një shtet të tërë, i kthyer në një kamp gjigant përqendrimi, i ngjashëm vetëm me gulagët sovjetikë. Viktimat e atij regjimi janë shumica të gjallë. Ata sot janë të detyruar të shikojnë të venerohet personi që u shkatërroi jetën, rininë, ëndrrat. Enver Hoxha vazhdon të mbahet i gjallë nga disa nostalgjikë, për arsye akoma të pakuptueshme e logjikisht të pashpjegueshme. Një diktator i tipit “Hoxha”, duhet të dënohet edhe nga bashkëpunëtorët e afërt të tij. Madje, një pjesë shumë e madhe, të fundit Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, u dërguan në gijotinë nga vetë Enver Hoxha. Por mesa duket, disa akoma vuajnë nga “sindroma e Stokholmit”.

Unë jam përfaqësuese e një shtrese që pësoi në kurriz persekucionin komunist. Persekucion politik, për shkak të ideve por edhe persekucion ekonomik duke rrënuar bisneset e dhjetra vjeçare të të parëve. Amaneti i atyre që nuk jetojnë më, është detyrim për mua. Ashtu siç besoj duhet të jetë për të gjithë ata që kanë patur të njëjtin fat tragjik. Madje duhet të jetë për të gjithë shqiptarët. Unë nuk mund të shkel për asnjë arsye në botë mbi këtë amanet. Nuk mund të shkel mbi gjakun e vuajtjet e të parëve të mi por edhe të qindra mijëra shqiptarëve që për 45 vite kaluan këtë kalvar të pashoq. 

Po! E kam deklaruar dhe e deklaroj se 29 nëntori 1944 është një ditë e zezë për Shkodrën, Shqipërinë e shqiptarët. Është dita kur në këtë vend nisi instalimi i diktaturës më të egër që, jo vetëm shqiptarët, po mbarë bota ka njohur. Unë nuk mund ta konsideroj këtë ditë si “ditë çlirimi” sepse realisht, pikërisht atë ditë, nisi pushtimi i vendit tim nga diktatura. Ajo nuk u instalua në një ditë, një muaj, një vit. U deshën shumë vite dhe shumë bashkëpunëtorë, që u kthyen në vegla torture e shfarosje për mijëra shqiptarë. Enver Hoxha përdori shqiptarët kundër shqiptarëve, një krim monstruoz që unë, por besoj edhe historia, nuk do t’ia falë asnjëherë. 

E kam thënë dhe po e përsëris: historia është mësuesi më i mirë për të gjithë ne. Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka publikuar raportin zyrtar, sipas të cilit 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike. Nga të dhënat zyrtare rezulton se 59,009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 prej tyre kanë humbur jetën. Po sipas të dhënave të këtij instituti, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, ndërkohë që 6.027 persona janë vrarë gjatë diktaturës. Po ashtu, nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.

Unë nuk mund të mbyll sytë, as veshët! Ftoj të gjithë shqiptarët të bëjnë të njëjtën gjë! Të drejtat e liritë e njeriut, në emër të gjoja të cilave lejohet venerimi i figures së një diktatori tanimë të vertetuar si i tillë, nuk i japin të drejtën askujt të shkelë mbi dinjitetin, vuatjet dhe gjakun e viktimave të Enver Hoxhës.

EMISIONET