10 sfidat e kryeprokurorit të ri dhe 10 këshilla se ç‘duhet të bëjë – Opinion nga Roland Qafoku

10 sfidat e kryeprokurorit të ri dhe 10 këshilla se

Të gjitha gjasat janë që, brenda dhjetorit, Shqipëria të ketë Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Pavarësisht llogarive, kundërshtive të opozitës, ofertës së kryeministrit për kreun e opozitës, por edhe afateve kushtetuese, vendi pritet të njohë emrin e Prokurorit të 8-të në histori, i 8-ti në historinë e pas rënies së komunizmit. Ndonëse është i përkohshëm, ai merr rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për momentin që po kalon drejtësia, por më shumë akoma, për faktin se, reformimi i prokurorisë është letra e lakmuesit, nëse reforma të drejtësi do bëhet ashtu siç është premtuar, apo do vazhdojë të endet dhe shthuret si pëlhura e Penelopës. Si një gazetar që për vite kam mbuluar institucionin e Prokurorisë dhe kam raportuar me qindra e mijëra lajme nga ky institucion, duke qëmtuar plot interes zhvillimet në këtë organ, me mjaft modesti, dua të shpreh 10 sfidat që e presin përpara Prokurorinë Përgjithshme.

  1. EDHE PSE ËSHTË I PËRKOHSHËM

Ndonëse Kryeprokurori i ri do të jetë me mandat të përkohshëm, ai merr një rëndësi të madhe. Prokuroria aktuale është në një lloj konflikti me shumicën, në konflikt edhe me diplomatë të huaj, deri me ambasadën amerikane, dhe angazhimi i Kryeprokurorit të ri në luftën ndaj krimit, doemos do të ketë parësore, marrëdhëniet korrekte institucionale me institucionet e shtetit shqiptar, por edhe me partnerët e huaj. Si të tillë, Kryeprokurori i ri merr një vlerë unike për momentin. Por jo vetëm kaq. Edhe pse i përkohshëm, Kryeprokurori i ri duhet të tregojë se reforma në këtë institucion, nis pikërisht nga zyra e tij.

  1. KTHIMI I BESIMIT TE PROKURORIA

Besimi te prokuroria është sfida e parë e madhe e prokurorit të ri. Nëse masa e shqiptarëve, aktualisht vazhdon të enden në mosbesim të plotë të drejtësia, një nga hallkat është edhe prokuroria si pjesë e drejtësisë. Prandaj, Kryeprokurori i ri, më shumë se çdo gjë tjetër, duhet të ketë si sfidë besimin. Besim për të luftuar korrupsionin, për të luftuar krimin dhe çdo fenomen negativ.

  1. NDERSHMËRI DHE DREJTËSI

Debati për sistemin dhe individin, e ka simbolikën më të mirë të Kryeprokurori ri. Sado sistem perfekt të jetë Prokuroria, nëse në krye të saj nuk do jetë një prokuror me dy cilësitë kryesore, ndershmërinë dhe drejtësinë, atëherë na rroftë sistemi. Prandaj, emri i Kryeprokurorit të ri duhet të bazohet në këto dy prova, që ai të ketë kaluar në të shkuarën dhe që natyrisht duhet t’i përdorë edhe në të ardhmen. Një kryeprokuror që do tregojë vetë ndershmëri dhe drejtësi, nuk ka se si të mos transmetojë poshtë te vartësit e vet, këto cilësi. Ndërkohë, nëse nuk do tregojë ndershmëri dhe drejtësi padyshim, poshtë tij këto cilësi vetëm do sfumohen.

  1. JASHTË NGA PROKURORIA TË KORRUPTUARIT

E them me bindje se, ndër institucionet e drejtësisë më të ndershme në Shqipëri mes gjykatës, avokatisë dhe prokurorisë, prokuroria është më e ndershmja dhe më pak e korruptuara. Në prokurorinë shqiptare, ka djem dhe vajza, burra dhe gra të ndershëm, që gëzojnë këtë opinion nga ato që kanë bërë dhe nuk kanë bërë në jetën e tyre. Por duhet thënë se, pak u është vlerësuar kjo cilësi, sepse në prokurori ka patur dhe ka edhe të korruptuar. Nuk është e vështirë të vëresh dhe zbulosh se, cilët janë të korruptuarit në prokurori. Ata i dinë të gjithë me emër e mbiemër. Prandaj, kryeprokurori i ri, në rastin më të keq, nuk duhet t’i motivojë ata dhe në rastin më të mirë, duhet t’i nxjerrë nga sistemi. Natyrisht, ata nxirren si të tillë nga veting-u, por verifikimi i pasurisë është vetëm njëra anë. Nëpërmjet marifeteve, edhe këtë gjyq, ata mund ta kalojnë. Por Kryeprokurori i ri ka edhe një armë tjetër në duar. Historia dhe praktika e punës së një prokurori, është veting më i mirë për këdo. Si të tillë, atë që duhet të bëjë më parë, është që të korruptuarit e të paaftët, duhet t’i nxjerrë nga ky sistem. Boll më që, bashkë me të ndershmit, në prokurori të qëndrojnë edhe ata që janë turpi i saj.

  1. KURRË MË, BALANCË PS E PD

Kryeprokurori i ri kurrë nuk duhet t’i shikojë çështjet penale ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të shtetit, si elementë balancimi. Arrestime të tipit, arrestojmë disa zyrtarë të PS-së dhe për ta balancuar vendosen të arrestohen edhe nga PD-ja. Kemi qenë dëshmitarë në këto 27 vjet, kur arrestimet janë vënë në peshoren e farmacisë për nga numri dhe vepra penale. Kryeprokurori i ri duhet të heqë dorë nga ky balancim që ta shpif, a thua se është parti e jo prokurori.

  1. DOSJET E HAPURA TË DËRGOHEN NË GJYKATË

Ka shumë e shumë kohë që, politika po bën politikë me shumë dosje ku janë të përfshirë politikanët. Nuk ka ditë që opozita të mos akuzojë shumicën se, kryeministri, ministra, deputetë dhe zyrtarë të saj, janë të përfshirë në afera. Po ashtu, nuk ka ditë që edhe shumica të mos akuzojë ish-kryeministrin, ish-ministra e ish-zyrtarë të saj të lidhur me krimin dhe korrupsionin. Kryeprokurori i ri duhet të mos lejojë më, që me dosjet që prokuroria ka në hetim, të bëhet kjo lloj politike, që në fund përfundon e mbylljen e hetimeve. Kryeprokurori i ri, me shumë profesionalizëm dhe dinjitet, duhet të arrijë t’i dërgojë në gjykatë këto dosje dhe fjala e saj është vendimi final. Në një shtet të së drejtës ka vetëm një akuzë, atë që e bënë prokuroria. Të tjerat janë politikë dhe si të tilla, duhet të marrin fund një herë e mirë. Opozita i ka mëshuar me forcë asaj që, kryeministri Rama po emëron si kryeprokuror të ri dikë  që do t’i mbyllë dosjet ku janë të përfshirë ai vetë dhe të tijtë. Në pamje të parë, duket e logjikshme, por prokurori i ri për ta hedhur poshtë këtë, duhet të vërtetojë se për të nuk ka rëndësi fare, nëse i akuzuar është ai që është në pushtet dhe ai që nuk është në pushtet. Fundja, forca e punës së tij qëndron në atë se si e godet krimin në pushtet dhe jo te opozita.

  1. AS KOKË TURKU E AS KOKË GREKU

Ka mbetur lapidare thënia e akademikut Apollon Baçe, pas arrestimit të Spiro Kserës, kur tha se ne prisnim një kokë turku, prokuroria bëri një kokë greku. Pra, arrestimi dhe dërgimi në gjyq i një zyrtari apo politikani, sepse ai nuk ka mbështetje të fortë politike, do të ishte dështim spektakolar i Kryeprokurorit të ri. Në punën e tij, kryeprokurori i ri nuk duhet të udhëhiqet të godasë atje ku peri është më i dobët. Fuqia dhe zotësia e prokurorit, është të godasë krimin atje ku ai është më i fortë. Ndryshe, arrestime të tipit Ksera, janë thjesht statistika që të këpusin shpirtin. 

  1. LUFTA NDAJ KORRUPSIONIT

Nëse prokurori iri, përpara se të urdhërojë, organizojë apo bëjë një akuzë të bujshme, do të mendojë se vallë çfarë mendon kryeministri dhe kryetari i opozitës, misioni i tij ka dështuar. Jemi dëshmitarë të sa e sa rasteve, kur prokuroria kanë shtrënguar prangat në duart e zyrtarëve dhe reagimi i politikës ka qenë skandaloz. Atëherë, edhe prokuroria është tërhequr. Janë më dhjetëra këto raste. Prandaj, kryeprokurori i ri nuk duhet të stepet kurrë.

  1. LUFTA NDAJ KRIMIT

Nuk ka asnjë të dhënë të vërtetojë të kundërtën e asaj që krimi është rritur frikshëm. Ndërkohë që, në Parlament nuk mungojnë raportet. Ndaj, beteja e dytë, por jo për nga rëndësia e kryeprokurorit të ri, është beteja ndaj krimit. Janë gati 1000 persona në kërkim dhe janë më shumë se 100 të vrarë në vit, dy shifra që për kryeprokurorin e ri, duhet të jenë sfidë.

  1. I PËRKOHSHMI QË MUND TË BËHET I PËRHERSHËM

Nuk është herezi që kryeprokurori i ri i përkohshëm të bëhet i përhershëm. Si qytetar i këtij vendi, do isha shumë i lumtur që, nëse kryeprokurori i ri, pasi të arrijë suksese, të bëhet i përhershëm. /Albanian Free Press/

EMISIONET